I riu nga Tirana ankohet: “Çunat e drogës më lanë pa martuar”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.12.2024, 21:52

Një i ri nga Tirana ka ndarë shqetësimin e tij me redaksinë tonë, duke deklaruar se rritja e vazhdueshme dhe artificiale e çmimeve të apartamenteve në kryeqytet e ka lënë atë të pamundur të blejë një shtëpi dhe, për pasojë, edhe të martohet. Problemi, sipas tij, buron nga ndikimi i fuqishëm i “çunave të drogës,” të cilët po mbajnë kërkesën për apartamente të lartë në mënyrë artificiale.

“I gjithë ky qarkullim i parave të drogës përmes investimeve në apartamente po rrit çmimet artificialisht. Ne që punojmë me rroga të ndershme nuk kemi mundësi të blejmë një shtëpi. Kjo është arsyeja pse unë ende nuk jam martuar – nusja do shtëpi,” thotë i riu me ironi dhe zemërim.

Ai shpjegon se fenomeni është i thjeshtë: paratë që qarkullojnë nga aktivitetet e paligjshme po përdoren masivisht për të blerë prona në Tiranë, duke i rritur çmimet artificialisht përtej mundësive të qytetarëve të zakonshëm. Ndërkohë, qytetarët që jetojnë me paga mesatare e kanë të pamundur të futen në tregun e banesave.

Në thirrjen e tij, i riu u bën apel “çunave të drogës” që të investojnë kapitalin e tyre në mënyra më të dobishme për shoqërinë. “Të hapin fabrika, të punësojnë njerëz, apo të merren me kriptomonedha, por të mos e fusin tregun e apartamenteve në këtë kaos,” shprehet ai.

Sipas tij, ky fenomen nuk po ndikon vetëm në ekonominë e banesave, por edhe në dinamikat sociale. “Kur një çift nuk ka mundësi të sigurojë një shtëpi, kjo ndikon në vonesën e martesave dhe krijimin e familjeve të reja,” përfundon ai.

Ky denoncim shfaq një tjetër dimension të problemeve ekonomike dhe sociale që buron nga aktivitetet kriminale dhe ndërhyrja e tyre në tregjet e ligjshme. A do të ndërhyjnë institucionet për të adresuar këtë fenomen dhe për të rikthyer ekuilibrin real të kërkesë/ofertës në tregun e pasurive të paluajtshme? Shqiptarët presin përgjigje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit