Falë Belinda Ballukut, shqiptarët zbukurojnë pemën me elektrikun e dorës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.12.2024, 20:59

Një situatë ironike dhe e papranueshme ka nxitur zemërimin e banorëve të Vorës, të cilët prej më shumë se një ore po përballen me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike. Një qytetar i revoltuar ka denoncuar situatën përmes një mesazhi të dërguar në redaksinë tonë, duke vënë në pah absurditetin e problemeve energjetike që vazhdojnë të rëndojnë shqiptarët edhe pse jemi prag vitit 2025.

Sipas qytetarit, energjia elektrike "vjen për dy minuta dhe ikën përsëri," duke lënë banorët në terr për më shumë se një orë. Situata është veçanërisht zhgënjyese, duke qenë se zona e Vorës është e lidhur me një linjë 20 kV dhe kabujt janë të vendosur nëntokë, çka teorikisht duhej të siguronte stabilitet në furnizim. “Nuk jemi as në ndonjë zonë të thellë apo të vështirë. Na rrofshin elektriket e dorës,” shkruan qytetari me ironi, duke nënvizuar faktin se në mungesë të energjisë, banorët po përdorin elektrikët e dorës për të ndriçuar shtëpitë dhe, pse jo, për të "zbukuruar pemën e Vitit të Ri."

Ky realitet vë në pikëpyetje serioze menaxhimin e sistemit energjetik në vend dhe përgjegjësinë e institucioneve përkatëse, duke filluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Për shumë shqiptarë, ministrja Belinda Balluku është bërë simbol i premtimeve të pambajtura dhe i një sistemi energjetik që vazhdon të vuajë nga problemet bazike, pavarësisht përpjekjeve për propagandë me projekte të mëdha dhe deklarata optimiste.

“Është absurde që jemi në prag të vitit 2025 dhe ende përballemi me ndërprerje energjie në zona që nuk kanë asnjë arsye teknike për të pasur këto probleme,” përfundon qytetari, duke kërkuar një zgjidhje të menjëhershme për situatën dhe përgjegjësi nga ata që menaxhojnë fondet dhe infrastrukturën energjetike në Shqipëri.

A do të mbetet kjo një histori tjetër e varrosur nën premtime boshe, apo më në fund institucionet do të ndërhyjnë për të garantuar një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike? Përgjigjen, si gjithmonë, do ta japë koha.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit