Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetar ka ngritur alarmin për ndotjen masive të shkaktuar nga fabrika e tullave “Milis Brick” në Fushë-Krujë.
Sipas tij, ndotja e rëndë që kjo fabrikë gjeneron çdo natë po kërcënon shëndetin dhe jetën e mbi 1000 familjeve që jetojnë në zonën përreth.
Në pamjet e dërguara nga qytetari, shihet qartë se tymi i dendur dhe ndotja vijojnë edhe gjatë orëve të natës, duke përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në këtë zonë. Denoncuesi shprehet se situata është alarmante dhe se disa banorë tashmë po luftojnë me sëmundje të rënda për shkak të ndotjes.
"Pershendetje JOQ! fabrika e tullave në Fushë-Krujë, ‘Milis Brick’, po bën një masakër të vërtetë mjedisore, ku rrezikohet jeta e 1000 familjeve. Nuk ka shtet, se po të ketë shtet, të punojë sipas ligjeve të përcaktuara nga shteti. Ju lutem shumë publikojeni, ju jeni më të mirët," tha qytetari në mesazhin e tij.
Ndotja në Fushë-Krujë është një problem serioz, për të cilin redaksia jonë ka marrë denoncime të panumërta ndër vite. Qytetarët kanë ngritur shpesh shqetësimin se fabrikat dhe bizneset në këtë zonë nuk respektojnë asnjë standard mjedisor, duke lënë banorët të përballen me pasojat e ndotjes së rëndë në shëndet dhe mjedis.