Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Guinea gjatë një ndeshjeje futbolli, ku të paktën 56 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur për shkak të situatës kaotike që solli përplasja e tifozëve.
Incidenti i rëndë ndodhi në qytetin e Nzerekore gjatë finales së një turneu në nder të liderit ushtarak të vendit, Mamady Doumbouya.
Sipas dëshmitarëve, një karton i kuq i diskutueshëm në minutën e 82-të ndezi dhunën mes tifozëve. Gurët filluan të hidhen midis dy tifozerive, ndërsa policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës, çka përkeqësoi situatën. Një dëshmitar, Amara Conde, përshkroi skena të tmerrshme ku njerëzit, përfshirë fëmijë dhe vajza, u shkelën në përpjekje për të shpëtuar.
Turma u drejtua në mënyrë kaotike drejt daljeve të stadiumit, duke shkaktuar shkelje midis tyre. Në pamjet e publikuara nga mediat e huaja shihen dhjetëra persona që përpiqeshin të largoheshin duke kapërcyer muret e larta të stadiumit. Shumë nga viktimat, sipas një zyrtari lokal, ishin të mitur. Familjarët e viktimave, të kapluar nga paniku, morën trupat e të afërmve të tyre, përpara se të përfundonte numërimi zyrtar.
Organizatat ndërkombëtare, si Human Rights Watch, dënuan përdorimin e dhunës së tepruar nga forcat e sigurisë kundër tifozëve.
Ngjarja në Guinea është një tjetër rast që nënvizon rrezikun e mbipopullimit dhe mungesës së masave të sigurisë në stadiumet afrikane. Konfederata Afrikane e Futbollit dhe FIFA janë angazhuar për të adresuar këto sfida, por incidente të tilla me pasoja fatale vazhdojnë të ndodhin.