Një tender i zhvilluar nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, e drejtuar nga Nikolin Prendi, për rehabilitimin e kanalit ujitës KU-15 Kurbin, me një gjatësi prej 11 km, ka ngritur dyshime mbi transparencën dhe ndershmërinë e procedurave.
Fitues të tenderit u shpallën kompanitë B93 II dhe B-93, në pronësi të Ardit Liçaj si dhe Dashnor dhe Shpëtim Liçaj. Oferta e tyre fituese ishte 99,111,115 lekë (pa TVSH), që përkthehet në rreth 1.2 milionë euro me TVSH.
Fondi limit për këtë projekt ishte 100,712,222 lekë pa TVSH, çka do të thotë se oferta fituese përbën 98.4% të fondit limit. Një përqindje kaq e lartë në raport me fondin limit është shpesh tregues i një mungese konkurrence të vërtetë dhe ngre pikëpyetje mbi vlerësimin teknik dhe ekonomik të ofertave.
Nga 9 garues në total, 4 kompani kishin paraqitur oferta më të ulëta se fituesit, por megjithatë u shpallën humbëse. Kjo lë vend për dyshime mbi një skemë të mundshme favorizimi, ku fituesi mund të jetë përcaktuar që në fillim të procesit të tenderimit.
Në tendera të ngjashëm, ku fituesit ofrojnë shuma kaq të afërta me fondin limit dhe përjashtohen kompani me oferta më të ulëta, shpesh dyshohet për përfshirjen e pagesave nën dorë. Shanset janë se drejtuesi i autoritetit kontraktues, Nikolin Prendi, mund të ketë përfituar një përqindje të majme nga fituesit në këmbim të shpalljes së tyre si të tillë.
Ky tender hedh dritë mbi një model të mundshëm favorizimi dhe abuzimi me fondet publike. Autoritetet përkatëse dhe institucionet e pavarura të hetimit duhet të ndërhyjnë për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie në mënyrën se si menaxhohen fondet e qytetarëve.