Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar vendet anëtare të aleancës BRICS të mos krijojnë një valutë të re ose të mos mbështesin një tjetër valutë që do të zëvendësonte dollarin amerikan pasi ë të kundërt ato do të përballen me tarifa 100%.
"Kërkojmë një angazhim nga këto vende që të mos krijojnë një valutë të re të BRICS-it dhe të mos mbështesin asnjë valutë tjetër për të zëvendësuar dollarin e fuqishëm amerikan. Përndryshe, do të përballen me tarifa 100% dhe duhet t'i thonë lamtumirë shitjeve në ekonominë e mrekullueshme të SHBA-së. Mund të gjejnë një tjetër 'budalla'. Nuk ka asnjë shans që BRICS të zëvendësojë dollarin amerikan në tregtinë ndërkombëtare, dhe çdo vend që përpiqet, duhet të përgatitet t’i thotë lamtumirë Amerikës," deklaroi Trump në një postim në platformën e tij sociale, Truth Social.
Deklarata e Trump-it pasqyron tensionet në rritje midis SHBA-së dhe vendeve të BRICS-it, të cilat kanë shprehur synime për të zvogëluar varësinë nga dollari në tregtinë globale.
Aleanca BRICS përbëhet nga Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut, Egjipti, Etiopia, Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkohë, disa shtete të tjera, përfshirë Turqinë, Azerbajxhanin dhe Malajzinë, kanë aplikuar për t’u bërë anëtare.
Sipas të dhënave të FMN-së, dollari amerikan mbetet valuta më e përdorur globalisht dhe përfaqëson rreth 58% të rezervave valutore botërore. Por dominimi i tij është sfiduar nga BRICS dhe qëllimi i tyre për të tregtuar në valuta të tjera, një proces i njohur si "de-dollarizim".