Balluku lë pa energji fshatrat shqiptarë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 30.11.2024, 22:43

Redaksia e JOQ Albania ka marrë disa denoncime nga banorë të fshatrave të ndryshëm në vend, të cilët raportojnë për ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, veçanërisht gjatë reshjeve të shiut, erërave të forta dhe tani me fillimin e dimrit.

Kjo situatë po rëndon jetesën e banorëve të zonave rurale dhe po shkakton probleme serioze për familjet në nevojë.

Përgjegjësia për këtë problem bie mbi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, e drejtuar nga Belinda Balluku, e cila ende nuk ka dhënë një zgjidhje të qëndrueshme.

Denoncimet e qytetarëve

Fshati Golem, Shkodër:

“Përshëndetje, në zonën Golem të Shkodrës nuk kemi drita gjatë gjithë ditës. Sa nis shiu, ndërpritet energjia elektrike. Ju lutemi, na ndihmoni, se kështu nuk shtyhet dimri!”

Një fshat në Dibër:

“Përshëndetje JOQ, jam nga një fshat i Dibrës. Është e papranueshme që jemi thuajse në vitin 2025 dhe kemi frikë nga dimri. Sa fryn erë apo bie shi, mbetemi pa energji. Tani sapo filloi bora dhe sërish jemi pa drita. Situata në linjën Guri i Kuq është katastrofale. Sot ka më shumë se tre orë që energjia është ndërprerë.”

Fshati Viçisht, Bulqizë:

“Kjo është situata reale në fshatin Viçisht, Cerenec, të Bulqizës. Kam një fëmijë të sëmurë dhe kemi nevojë urgjente për energji elektrike dhe rrugë të aksesueshme për të shkuar në spital. Ju lutem, ngrijeni zërin për ne!”

Këto denoncime reflektojnë një problem të thellë me infrastrukturën energjetike të vendit, duke e bërë dimrin një makth për shumë familje.

JOQ Albania i bën thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës të marrë masa urgjente për përmirësimin e rrjetit elektrik, veçanërisht në zonat më të prekura. Në një kohë kur energjia elektrike është thelbësore për jetën e përditshme dhe për raste emergjente, vonesat në zgjidhjen e këtyre problemeve janë të papranueshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit