Tregu i punësimit të dadove dhe kujdestarëve të të moshuarve në Shqipëri ka pasur rritje të kërkesës, veçanërisht pas krizës demografike dhe rënies së popullsisë aktive.
Për kujdesin e fëmijëve, paga mesatare për një dado në Shqipëri arrin deri në 50,000 lekë, me mundësi rritjeje për kujdesin e dy fëmijëve. Megjithatë, agjencitë e ndërmjetësimit raportojnë se kërkesa është shumë më e lartë se oferta për shkak të emigracionit të grave që preferojnë punë më të paguara në Zvicër dhe vendet e tjera të BE-së, ku pagesat variojnë nga 800 deri në 1,100 euro.
Po ashtu, kërkesa për kujdestarë të të moshuarve ka pësuar një rritje të madhe, duke arritur 6,963 njoftime për vitin 2024. Ndryshimet demografike dhe rritja e numrit të të moshuarve që jetojnë vetëm, për shkak të emigracionit dhe plakjes së popullsisë, ka shtuar nevojën për shërbime të kujdesit për ta. Paga për kujdestarët e të moshuarve variuon nga 45,000 lekë për ata pa sëmundje të rënda deri në 85,000 lekë për ata me kushte më të vështira.
Megjithatë, një shqetësim i madh që është ngritur nga ekspertët është informaliteti i lartë në këtë treg, pasi shumë nga punësimet nuk janë të regjistruara dhe nuk paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.