Banorë pranë lumit Tërkuz, afër aeroportit të Rinasit, kanë ngritur shqetësime për dëmtimin e argjinaturave dhe marrjen e materialit inerte nga bregu i lumit. Sipas një qytetari që i është drejtuar redaksisë sonë, këto punime po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në strukturën mbrojtëse të lumit, duke rritur rrezikun për përmbytje në rast shirash të dendur.
Incidenti i fundit ndodhi gjatë reshjeve të djeshme, kur rruga pranë zonës u përmbyt për shkak të bllokimit të kanaleve të ujit. Qytetari raporton se kjo situatë po përkeqësohet prej më shumë se një muaji, ndërsa përpjekjet për të ndalur punimet e paligjshme nuk kanë sjellë rezultate deri tani.
Në këtë kuadër, banorët u bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse dhe Policisë së Shtetit që të ndërhyjnë dhe të marrin masa për të parandaluar dëmtimet e mëtejshme të lumit dhe për të garantuar sigurinë e zonës. Situata vijon të mbetet shqetësuese për komunitetin lokal.
Qytetari shkruan:
“Prsh joq, po grryejn pran lumit dhe po prishin argjenaturat per marr shavorrin por kjo gje sjell pasoja dhe rrezikon permbytje ne raste shiu dje qe ra shi i dha shenjat e para te bllokimit te rruges nga uji se nuk kishte ku te qarkullonte u bene 1 muaj qe vetem po shkatrrojn vendin, kjo eshte mjaft shqetsuese per banoret por askush nuk flet, i bejm thirrje policise te marr masa se po demtojne gjithe bregun e lumit, vendodhja pran aeroportit te rinasit lumi terkuz.”