Mashtrim me vlerë 2 mln euro/ 37 shqiptarë të përfshirë dhe një izraelit

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 30.11.2024, 12:18

Biznesmeni izraelit Rafael Genish dhe 38 shtetas shqiptarë janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës pas përfundimit të hetimeve trevjeçare për mashtrimin e mijëra qytetarëve europianë përmes skemave “Forex”. Të akuzuarit ngarkohen për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas hetimeve, grupi ka shkaktuar një dëm prej rreth 2 milionë eurosh përmes një call center me emrin “Capital SHPK 1001” në Tiranë, duke përdorur platformën “fx-leader.com” dhe metoda të tjera për të joshur viktimat që të investonin në aksione dhe kriptovaluta. Skema përfshinte krijimin e një marrëdhënieje besimi me viktimat, duke i bindur fillimisht të investonin shuma të vogla. Më pas, ata stimuloeshin me fitime të rreme për të investuar shuma më të mëdha, ndërsa kur kërkonin të tërhiqnin fondet, kjo nuk bëhej e mundur. Në fund, faqet e përdorura për këtë qëllim mbylleshin, duke u shkaktuar viktimave humbje të konsiderueshme.

Transfertat monetare kryheshin përmes faturave fiktive në banka në vende me risk për pastrimin e parave, si Lituania, India, Singapori, Hungaria, Estonia dhe Malta. Gjatë hetimeve u sekuestruan dokumente dhe skedarë që përmbanin të dhëna të viktimave, si emrat, kontaktet dhe detajet e investimeve. Po ashtu, u zbulua përdorimi i platformave si PayPal, Coinbase dhe Binance për menaxhimin dhe transferimin e fondeve.

Hetimet u zhvilluan në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe ato të vendeve të tjera europiane. Gjithashtu, autoritetet çeke raportuan një rast ku një shtetas çek humbi një shumë prej 285,000 CZK pasi u kontaktua nga kjo skemë mashtrimi dhe humbi çdo akses në fondet e tij. Për këtë veprimtari, Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj Genish dhe 38 bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit