50 mijë banesa bosh dhe 1.5 milionë m/2 leje ndërtimi në vit: Pse çmimet në Tiranë nuk bien?

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.11.2024, 22:04

Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë një situatë alarmante për kryeqytetin. Pavarësisht se censusi konfirmoi mbi 50 mijë banesa të boshatisura në Tiranë, ndërtimet e reja vazhdojnë me një ritëm të paprecedent. Vetëm nga janari deri në shtator të këtij viti, janë dhënë 380 leje ndërtimi në Tiranë, duke mbuluar një sipërfaqe rekord prej 1.5 milion metra katrorë.

Në një treg të zakonshëm, shtimi i ndjeshëm prej 1.5 milionë m/2 në vit i sipërfaqeve të ndërtuara në kushtet kur ka stok të madh banesash të pashitura, siç është rasti i 50 mijë banesave bosh në Tiranë, duhet të çonte në një ulje të konsiderueshme të çmimeve të apartamenteve. Por në mënyrë të çuditshme, ndodh e kundërta: çmimet mbeten të larta.

Sipas ekonomistëve, ky fenomen jashtë logjikës ekonomike lidhet kryesisht me qarkullimin e parave të pista, ku krimi i organizuar ka kthyer ndërtimin në një kanal të preferuar për investime.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka theksuar se analiza e grupeve kriminale tregon ndërtimin si investimin më të preferuar të tyre. Kjo u vërtetua nga operacioni i fundit ndaj bandës së Suel Çelës në Elbasan, ku u zbuluan lidhje të forta mes trafikantëve të drogës dhe politikës.

Një rast që tronditi opinionin publik ishte përfshirja e motrës së dy prej antarëve kryesorë të kësaj bande, e cila mban një pozicion kyç në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, në varësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama.

Këto të dhëna jo vetëm që ngrenë shqetësime për fenomene të paligjshme, por vënë në pikëpyetje edhe drejtësinë ekonomike dhe shëndetin e tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Ndërsa qytetarët përballen me çmime të papërballueshme, vrulli i ndërtimeve pa logjikë ekonomike duket se i shërben interesave të errëta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit