Një grup shqiptarësh në Athinë ka denoncuar përmes një mesazhi të dërguar në redaksinë e JOQ se janë ndaluar nga policia greke teksa po festonin me flamuj shqiptarë. Sipas dëshmitarëve, festa e tyre është ndërprerë dhunshëm, duke shkaktuar tension dhe përplasje.
"Ishim duke kërcyer dhe valëvitur flamujt shqiptarë, kur papritur forcat e policisë na urdhëruan të largoheshim. Na thanë ‘ikni që këtu, nuk keni leje, ikni në shtetin tuaj,’ dhe më pas nisën të na shtynin me ato mburojat e tyre," thuhet në mesazhin e qytetarëve.
Sipas tyre, gjatë ndërhyrjes janë goditur dy vajza nga policia, gjë që ka çuar në reagimin e ashpër të tyre ndaj forcave të rendit. "Pas goditjeve, vajzat filluan t’u bërthisnin policëve," vijon denoncimi.
Ngjarja ka ngjallur indinjatë mes komunitetit shqiptar në Greqi, duke ngritur pikëpyetje mbi trajtimin e tyre nga autoritetet vendase dhe respektimin e të drejtave për tubime paqësore. Incidenti vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes komuniteteve janë të ndjeshme, duke rritur shqetësimin për tensionet etnike dhe kulturore.