Një situatë shqetësuese është raportuar nga një qytetar përmes një mesazhi dërguar në redaksinë e JOQ Albania.
Ai bën me dije se rreth 30 kuaj kanë mbetur të bllokuar në majë të malit të Korabit, në një lartësi mbi 2700 metra.
Sipas tij, kuajt nuk ishin parë prej më shumë se 10 ditësh nga banorët e zonës, derisa disa turistë me dron zbuluan vendndodhjen e tyre. Problemi bëhet më i rëndë nga kushtet atmosferike, pasi në zonë kanë nisur reshjet e borës dhe terreni është i mbuluar nga mjegulla e dendur.
Banorët e zonës janë të shqetësuar për jetën e kafshëve dhe kërkojnë ndihmë nga autoritetet për t’i kthyer kuajt në vendin e tyre të sigurt.
“Janë 30 kuaj të bllokuar në majë të Korabit 2700 metra. Nuk arrijnë dot t’i zbresin. Ju lutem mundeni ta bëni alarmante. Kuajt kishin më shumë se 10 ditë që nuk shiheshin në bjeshkën e Korabit dhe sot disa turistë me dron zbuluan se ku ndodheshin. Kanë filluar reshjet e borës dhe fshatarët që janë ngjitur lart rrezikojnë dhe jetën, është shumë mjegull siç mund ta shihni dhe në video,” shprehet për JOQ Albania qytetari.
Banorët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve për të shmangur humbjen e kafshëve dhe për të siguruar shpëtimin e tyre pa rrezikuar jetët njerëzore.