SPAK kërcënon mediat, ndalon publikimin e dosjes së bandës së Elbasanit

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 28.11.2024, 17:41

SPAK ka urdhëruar ndalimin e publikimit të dosjes së Bandës së Elbasanit deri në përfundim të hetimeve, duke përfshirë përmbajtjen e kërkesës së prokurorisë dhe aktet e lidhura.

Ky vendim bazohet në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale dhe shkelja e tij cilësohet vepër penale sipas nenit 295/a të Kodit Penal.

Sipas SPAK, publikimi i dosjes në media ka nisur pas marrjes së kopjeve të këtij vendimi nga të hetuarit dhe pala mbrojtëse, duke pretenduar se informacioni ka rrjedhur prej tyre.

Njoftimi i plotë i SPAK-ut:

NDALIM PUBLIKIMI TË KËRKESËS SË PROKURORISË, PËRMBAJTJES SË SAJ SI DHE I AKTEVE QË LIDHEN ME ÇËSHTJEN

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u bën thirrje të gjitha mediave dhe aktorëve publikë që të respektojnë Vendimin e Gjykatës se Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), datë 22.11.2024 “Për caktimin e masës së sigurimit personal” për çështjen penale nr. 138 dhe legjislacionin për mbrojtjen e sekretit hetimor. Çdo publikim i paautorizuar jo vetëm dëmton procesin hetimor, por krijon pasoja të rënda për sigurinë e palëve të përfshira dhe integritetin e procesit hetimor.

Në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të ruajtur sekretin hetimor dhe për të ndaluar publikimin e akteve hetimore, GJKKO në vendimin e saj ka urdhëruar që:

“26. Bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale urdhërohet ndalimi i publikimit të kërkesës së prokurorisë, përmbajtjes së saj si dhe i akteve që lidhen me çështjen deri në përfundim të hetimeve, si dhe ndalohet tërësisht publikimi i këtij vendimi deri në përfundim të hetimeve paraprake.”

27. Mosrespektimi i urdhërimit të përcaktuar në pikën 26 të dispozitave të këtij vendimi përbën vepër penale të përcaktuar në nenin 295/a paragrafi 3 të Kodit Penal, me titull “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Sqarojmë se, pas dhënies dhe marrjes së kopjeve të këtij vendimi nga të hetuarit dhe pala mbrojtëse është vënë re se pjesë të tij janë bërë publike në media, në kundërshtim me urdhrin e gjykatës dhe kuadrin ligjor. Të gjitha personave nen hetim ju është përcjellë kopje e vendimit të gjykatës kundrejt firmosjes së procesverbalit për ruajtjen e sekretit hetimor.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbetet e përkushtuar në garantimin e një procesi hetimor të drejtë, transparent dhe në përputhje të plotë me ligjin, duke mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit