Australia ndalon përdorimin e mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.11.2024, 14:43

Australia ka miratuar sot një ligj të ri që ndalon përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç, një hap radikal për të mbrojtur shëndetin mendor dhe fizik të adoleshentëve.

Ky ndalim prek platformat kryesore si X (Twitter), Facebook, Instagram, TikTok, Snapchat dhe Reddit, por përjashton YouTube.

Platformat sociale do të kenë një vit kohë për të zbatuar këtë kufizim të moshës, dhe nëse dështojnë, ato mund të përballen me gjoba që arrijnë deri në 50 milionë dollarë australianë (rreth 33 milionë dollarë amerikanë). Ligji ka për qëllim të parandalojë ndikimet negative, si ngacmimi online dhe pasojat e dëmshme të imazhit të trupit, që janë lidhur me përdorimin e tepërt të mediave sociale tek fëmijët.

Ky projektligj ka marrë mbështetje të gjerë, përfshirë qeverinë laburiste dhe opozitën liberale, dhe është parë si një hap të rëndësishëm për të mbrojtur adoleshentët nga ndikimet e mediave sociale. Një sondazh i fundit tregon se 77% e australianëve e mbështesin këtë ndalim.

Vende të tjera janë përpjekur të vendosin kufizime në mediat sociale për fëmijët, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilat kërkojnë që kompanitë e teknologjisë të marrin pëlqimin prindëror për të mbledhur të dhëna nga fëmijët nën 13 vjeç. Por vendimi i ligjvënësve australian shkon më tej, pa përjashtime për pëlqimin prindëror ose para llogaritë ekzistuese.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit