Një tjetër skandal tronditës ka dalë në dritë nga dosja voluminoze e SPAK mbi grupin kriminal të Suel Çelës, duke zbuluar lidhjet mes ish-gjyqtares Pajtime Fetahu dhe eksponentëve të organizatës kriminale.
Në dosje shfaqet edhe emri i Megi Fetahut, vajza e ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, e cila ka marrë masën e arrestit me burg. Megi dyshohet të ketë shërbyer si ndërmjetëse mes nënës së saj dhe anëtarëve të grupit të Suel Çelës.
Në një bisedë të datës 29 korrik 2020, Megi Fetahu komunikon me Klaus Matishin, duke i shprehur mërzitjen e nënës së saj ndaj Suel Çelës dhe vëllait të tij, Mario Çela.
Ajo ka përmendur se nëna e saj ka rrezikuar duke ndihmuar në disa raste, si në çështjen e Brikin Rustës, amnistinë e Kelmend Xhaferrit dhe vendosjen e tritolit ndaj Fuad Verzivollit.
“Mami dje në darkë kur u shtri po thoshte që ishte mërzit me shok me Marion… Unë rrezikoj jetën time,” shprehet Megi në një pjesë të bisedës, duke përcjellë shqetësimet e nënës së saj.
Në përgjigje, Matishi shpreh mbështetje për Fetahun dhe premton se do t’i shkojë për një kafe për ta qetësuar.
SMS e shkëmbyera mes Pajtime Fetahut dhe Suel Çelës:
Marjus Lulaj: “Të presim për kafe. Pa diskutim o do fitojm o do fitojm”.
Pajtime Fetahu: “Të rrini gëzuar”.
Marjus Lulaj: “Faleminderit”.
Pajtime Fetahu: “Bëj se ti e meriton dhe te kam thënë qe ju kam në zemër”.
Marjus Lulaj: “Mirë motra shikoje vet ne këtu jemi, dhe me thuaj për ca të nevojitem se vetëm ti po bën për ne”.
Pajtime Fetahu: “Faleminderit shumë o yll. Po për Kelin nuk u gëzove qe nuk po e përmend? Unë bëra gjithë atë lufte në gjykate me burgjet me prokurorin. Apo nuk tregon blerina? Apo thotë qe i ka bërë ajo”?
Marjus Lulaj: “Për ty hidhen ne zjarr jo vetëm unë të gjithë ne dhe ne tkemi ciper kokës ty”.
Pajtime Fetahu: “Ishalla nuk me nevojitesh haha”.
Sipas dosjes, Suel Çela i ka dorëzuar nëpërmjet nënës së tij një shumë prej 10 mijë eurosh Pajtime Fetahut për nderet që gjyqtarja i ka bërë.