Shqipëria feston sot 112-vjetorin e Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.
28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.