Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Weitz thotë se vendit i nevojitet ndryshimi i Kushtetutës që të hap kapitujt për anëtarësim në BE. Thomas Weitz për AIM-në tha se shikon indikacione se kjo qeveri është e gatshme të ecë përpara në integrimet evropiane, nëse ka garanci se Bullgaria nuk do të bëjë kërkesa të reja dhe nuk do të bllokojë më tej procesin.
“Duhet të sigurohet një ndryshim i Kushtetutës, por edhe të sigurohet që të mos ketë kërkesa shtesë, duhet të jetë detyruese dhe ndjenja është e tillë në Bashkimin Evropian. Qeveria vështirë se do të jetë në gjendje t’u shpjegojë votuesve nëse nuk ka garanci. Duhet të punojmë për të dhënë garanci dhe se nuk do të ketë kërkesa të reja”, tha eurodeputeti austriak Weitz, i cili vjen nga të Gjelbërit.
Lidhur me kërkesën e Qeverisë për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar, Weitz shprehu dyshimin se ato mund të kalojnë.
“Ajo që është legjitime është se Qeveria po kërkon qartësi për kërkesat, por nuk besoj se do të kalojë kërkesa për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar”, tha Weitz.
Ai theksoi se duhet të gjenden garanci se nuk do të ketë më bllokime dhe se për momentin nuk e di zgjidhjen e saktë, por për pesë deri në gjashtë muaj mund të thotë një zgjidhje më konkrete.
Weitz vlerësoi se vendi u bë viktimë e çështjes dypalëshe me Bullgarinë, sepse negociatat nuk janë të lehta, por sepse rrethanat e reja gjeostrategjike pas pushtimit rus në Ukrainë, treguan se Ballkani Perëndimor nuk është diku jashtë, por në thelbin e Evropë.
Sa i përket progresit në reforma, Weitz tha se vendi po përparon më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por ajo që mungon është zbatimi i legjislacionit.