Si e mbylli dosjen kriminale Suel Çela duke “rekrutuar” Enkelejda Kapedanin e TikTok-ut

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 27.11.2024, 11:29

Në dosjen e përgatitur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përveç Pajtime Fetahut, tashmë e arrestuar, figuron edhe emri i gjyqtares Enkelejda Kapedani. Sipas dokumenteve, Suel Çela i ka ofruar një automjet me vlerë 40 mijë euro gjyqtares Kapedani, me qëllim që kjo e fundit të tërhiqej nga gara për kryetare të Gjykatës së Elbasanit. Ky veprim synonte që në krye të gjykatës të zgjidhej Pajtime Fetahu, e cila dyshohet se ishte e gatshme të merrte vendime në favor të Çelës.

Në dosje theksohet gjithashtu se Suel Çela ka bashkëpunuar me Pajtime Fetahun dhe kryetarin e gjykatës Zihni Shahu për të siguruar që një çështje penale e tij të gjykohej nga gjyqtarja Kapedani. Përmes ndërhyrjeve, kjo dosje u hoq nga gjyqtari Tomorr Kullolli, i cili nuk gëzonte besimin e Çelës, dhe iu kalua Enkelejda Kapedanit.

Sipas dosjes, çështja në fjalë lidhej me akuzat për armëmbajtje pa leje dhe heqje të paligjshme të lirisë ndaj Marjus Lulajt (Suel Çela) dhe Endri Çopjas. Prokurori Ritvan Sukaj e kishte dërguar çështjen për gjykim, por pas ndërhyrjeve dhe paraqitjes së një dëshmitari që mohoi të akuzuarit si autorë të veprës, gjykata vendosi pushimin e çështjes më 30 prill 2020.

Në materialet e përfshira në dosje, referohet komunikimi mes të akuzuarve, i cili hedh dritë mbi mënyrën e veprimit për të mbyllur çështjen. Po ashtu, në vendimin e administruar nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, është përfshirë dhe deklarata e viktimës, Bledar Karaj, i cili ishte përfaqësuar nga avokati i tij gjatë procesit.

Pjesë nga hetimet tregojnë përputhje të plota mes bisedave të të akuzuarve dhe vendimeve të marra nga gjykata, duke ngritur dyshime për ndikime të jashtme në trajtimin e çështjes. Në bazë të këtyre dokumenteve, SPAK ka përpiluar dosjen, e cila po hetohet më tej për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe rolin e tyre në këtë rrjet të dyshuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit