Larja e hesapeve përfundoi me vrasjen e shqiptarit, i përfshirë në lojërat mashtruese për turistët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.11.2024, 08:27

E prisnin në rrugë për të larë hesapet dhe më pas e goditën me thikë për vdekje teksa ishte në shoqërinë e vëllait të tij , i cili mbeti vetëm i plagosur lehtë.

Kjo ndodhi me 40-vjeçarin shqiptar Van Koxha i cili humbi jetën në Marghera, Itali. Vrasja ndodhi pak pas orës 22 të ditës së kaluar, pas një sulmi që ndodhi në një park të vogël pranë via Rizzardi në Marghera, një nga komunat e Venecias.

Viktima humbi jetën pasi u godit me thikë në rrugë në kulmin e një debati. Gjatë përleshjes ka mbetur i plagosur edhe vëllai i tij, i cili është dërguar në spital, por nuk është në rrezik për jetën. Krimi ndodhi në një nga të ashtuquajturat "zonat e trafikut të drogës" të Marghera , në një zonë shpeshherë skenë e episodeve të dhunshme dhe denoncimeve të vazhdueshme nga banorët në polici për shkak të situatave të degradimit, por në këtë rast, sipas hetuesve, ishte një larje hesapesh mes bandave që kontrollojnë lojërat me kuti, me të cilat mashtrohen çdo ditë sidomos turistët. Një “lojë” që fiton shuma të mëdha për ata që e kontrollojnë.

Dy shtetas moldavë janë arrestuar mbrëmjen e së hënës, njëri për vrasjen, tjetri për sherrin ku thuhet se kanë marrë pjesë tetë persona të tjerë. Hetuesit nuk kanë dyshime për identitetin e vrasësit, i cili gjithashtu u filmua nga kamerat e sigurisë. Një person u plagos gjithashtu në frontin e rivalëve të shqiptarit.

Policia vendase e cila ka mbërritur e para në vendngjarje me disa patrulla po heton për vrasjen. Sipas një rikonstruksioni fillestar, Koxha ishte bashkuar me vëllain e tij që jeton në Veneto. 40-vjeçari ishte larguar nga Porto Sant'Elpidio pas skadimit të masës së arrestit shtëpiak të dhënë nga gjyqtari hetues i gjykatës Fermo për çështje që lidhen me trafikun e drogës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit