Janë publikuar sot pamjet e atentatit ndaj biznesmenit Eduart Reçi i cili u vra mbrëmjen e 13 nëntorit në Tiranë.
Në pamje duket biznesmeni 52-vjeçar duke dalë nga lokali poshtë pallatit të tij me celularin në dorë. Në momentin që ai largohet disa metra duke përdorur celularin, ai qëllohet me një plumb të vetëm direkt e në kokë.
Ai është dërguar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plumbit fatal që mori në kokë.
Për këtë ngjarje policia ka arrestuar dy vëllezërit, Shkëlqim dhe Florian Dukaj. Shkëlqim Dukaj me detyre oficer policie në Komisariatin nr.2 dyshohet se është qitësi i armës së përdorur me silenciator.
Ditën e sotme ata kanë dalë para togave të zeza për t'u njohur me masën e sigurisë "arrest me burg" por kanë mohuar akuzat se kanë eliminuar biznesmenin e ndërtimit për shkak të një debati për truallin e një pallati.
Shkëlqim Duka, i cili njihet si qitës i mirë në radhët e uniformave blu, ka tentuar ta ekzekutojë Eduart Reçi edhe në datën 8 Nëntor. Efektivi 48 vjeçar raportohet se ka qëlluar në drejtim të biznesmenit, por plumbi nuk ka shënjestruar objektivin. Ai e ka ruajtur biznesmenin e ndërtimit për 5 ditë me radhë për ta eliminuar. Ky detaj, sipas burimeve nga grupi hetimor, është vënë re pas kqyrjes së pamjeve filmike pranë vendit ku ndodhi edhe vrasja e Eduart Reçit.
Në ditën e ngjarjes, 13 nëntor, oficeri i policisë e ka pritur Eduart Reçin nga ora 19:00 dhe në orën 22:40 minuta e ka qëlluar me plumb në kokë duke i marrë jetën. Pas arrestimit të tij dhe të vëllait, Florjan Duka policia ka ushtuar kontrolle në banesat dhe lokalin e tyre ku ka gjetur prova që i implikojnë, por ende nuk ka gjetur armën e krimit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.