Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar sot detajet e plota të operacionit ku u godit grupi kriminal i drejtuar nga Suel Çela, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Ky grup, sipas SPAK, trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt shteteve të tilla si Gjermania, Britania, Italia, Belgjika dhe Holanda. Përveç trafikut të drogës, organizata kishte si objektiv edhe vrasjen e anëtarëve të një grupi tjetër kriminal që vepronte në Elbasan.
Prokuroria ka lëshuar 21 masa sigurie ndaj anëtarëve të grupit, përfshirë ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu, ish-zyrtarin e lartë të policisë Dedan Gjoni (i arrestuar për një tjetër ngjarje), një avokat dhe dy gazetarë. Nga këta, avokati është nën arrest shtëpie, ndërsa gazetarët, Elton Qyno dhe Artan Hoxha janë nën masën e detyrimit për t’u paraqitur, ndërkohë që 18 anëtarë të tjerë janë në arrest në burg.
SPAK thekson se organizata e Suel Çelës përdorte funksionarë dhe gazetarë për të manipuluar opinionin publik dhe për të goditur anëtarët e grupeve rivale në qytetin e Elbasanit. Sipas SPAK, bashkëpunimi i Suel Çelës me gazetarët Hoxha dhe Qyno ishte një strategji e grupit për “manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve”. Hoxha dhe Qyno sipas SPAK, kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.