Mjeku i spitalit të Klod Allajbeut pengon transferimin e vrasësit të Martinit në paraburgim

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.11.2024, 11:07

Komisioni i Burgjeve ka njoftuar policinë e Tiranës për mosbindjen e mjekut të spitalit "Hygeia" ku po mjekohet i mituri Mario Prelleshaj, i dyshuar për vrasjen e Martin Canit, pasi ai ka refuzuar të dorëzojë epikrizën për 14-vjeçarin.

Mjeku Dritan Todhe ka vonuar procesin që nga dita e djeshme, dhe gjithashtu edhe sot, kur komisioni i përbërë nga pesë persona, i ngritur me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, është përpjekur të marrë informacionet e nevojshme nga spitali privat i oligarkut Klodian Allajbeu.

Për të miturin është vendosur masa e arrestit me burg, dhe mjeku ka detyrimin të dorëzojë kartelën dhe epikrizën e tij për të mundësuar vlerësimin e gjendjes shëndetësore dhe mundësinë e transportimit të tij në spitalin e burgjeve ose në institutin e të miturve në Kavajë.

Por për shkak të mosdorëzimit të dokumenteve, komisioni është detyruar të rikthehet në spital dhe ende nuk ka marrë përgjigje. Anëtarët e komisionit janë aktualisht në komunikim me prokuroren e çështjes dhe policinë për të shqyrtuar hapat e mëtejshëm, nëse mjeku dhe spitali vazhdojnë të mos dorëzojnë epikrizën e kërkuar.

I mituri po merr trajtim mjekësor në këtë spital që prej ditës së ngjarjes ku mbeti i plagosur. Mbetet e paqartë se kush e ka transportuar të miturin drejt këtij spitali kur ai sapo ishte plagosur dhe kush ia ka bërë foton duke treguar dorën e gjakosur.

14-vjeçari akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe sipas Kodit Penal për të Miturit, nëse autori i një krimi është nga 14 deri në 17 vjeç ai mund të dënohet deri në 12 vite heqje lirie.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit