Një gomone e mbushur me emigrantë u mbyt në zonën shkëmbore të Shën Antonit, në veri të ishullit grek Samos, në Egjeun Lindor, duke shkaktuar humbjen e jetëve të 8 personave. Mes viktimave janë 6 fëmijë dhe 2 gra, ndërsa 36 emigrantë të tjerë u shpëtuan pas një operacioni të zhvilluar nga Roja Bregdetare greke.
Ende nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në gomone, e cila ishte nisur nga brigjet turke. Moti i keq dhe deti me valë deri në 5 ballë e vështirësuan situatën. Në operacion morën pjesë dy anije shpëtimi, një mjet lundrues, një avion, një helikopter dhe forca policore.
Fluksi i emigrantëve nga brigjet turke drejt Greqisë ka ardhur në rritje muajt e fundit. Sipas të dhënave të UNHCR, që nga fillimi i vitit, rreth 54,000 emigrantë kanë mbërritur në Greqi, duke e bërë atë destinacionin e dytë më të madh në Evropën Jugore pas Italisë. Qendrat e pritjes në Greqi, të cilat kanë një kapacitet total prej 34,000 personash, po përballen me mbipopullim, veçanërisht në ishujt e Egjeut Lindor, ku kapaciteti është tejkaluar me 130%.
Mediat greke raportojnë se procesi i azilit ka pësuar vonesa, duke i penguar refugjatët të udhëtojnë drejt vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.