SPAK (Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit) ka lëshuar dy urdhër arresti për ish-gjyqtarët e Elbasanit, Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu pasi akuzohen për korrupsion.
Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu dyshohet se mund të ketë lidhje me historitë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Sipas njoftimit të SPAK, punonjësja e Gjykatës u ka dhënë vëllezërve informacione sekret. Sipas SPAK, Fetahu dyshohet se ka marrë 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe priste edhe një aparat celular nga anëtarë të grupit kriminal “Çopja”.
'Gjithashtu hetimet kanë zbuluar edhe faktin penal të “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, nga një punonjëse e administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kryer gjatë periudhës kohore shtator – tetor të vitit 2020, në Elbasan”.
Fetahu njihej nga grupi i vëllezërve Franc e Hajdar Çopja si “Komshija” dhe ishte kontaktuar për të dëmtuar rivalët e grupit, përfshirë Erion Alibejn, një kundërshtar i fortë i tyre. Gjyqtarja ka mbajtur lidhje miqësore me anëtarët e grupit, përfshirë Arzen Mama, dhe është akuzuar për ofrim informacionesh lidhur me dosjet që ajo kishte në gjykim. Në këtë kuadër, është evidentuar se Pajtime Fetahu ka favorizuar anëtarët e grupit, duke lehtësuar pozitat e tyre dhe duke marrë shuma të ndryshme monetare.
Sipas dosjes hetimore, Pajtime Fetahu ka marrë nga shtetasi Mikael Kamami (Qosja) nëpërmjet Arzen Mamës shuma monetare si përfitim i padrejtë, 10.000 Euro, 1.000 Euro dhe një monedhe floriri si dhuratë për mbesën e porsalindur, thuhet në dosjen hetimore të SPAK. Në bisedat mes anëtarëve të grupit, evidentohet fakti se Fetahu kërkonte edhe një aparat celular prej tyre.
Përveç kësaj, hetimi ka nxjerrë në pah se organizata kriminale "Çopja" ka penetruar në radhët e institucioneve të drejtësisë, përfshirë policinë dhe prokurorinë, duke siguruar informacion të rëndësishëm për aktivitete të paligjshme.
Fetahu akuzohet për korrupsion, ndërsa dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të Vettingut.