Fahrije Hoti, themeluese e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, të hënën, ka deklaruar se pavarësisht refuzimit të aplikacioneve për grante nga Ministria e Bujqësisë, do të vazhdojë punën .
Hoti në konferencë për media ka theksuar se asnjëherë nuk i kishte ardhur ndonjë njoftim për padi nga Gjykata lidhur me kthimin e mjeteve në vitin 2017, dhe ka kërkuar nga ministri Faton Peci që të kërkojë falje për deklaratat e tij.
“Ministri Peci ka thënë se jam e paditur në gjykatë, mua asnjëherë nuk më ka ardhur asnjë ftesë, nuk e di ku e ka gjetur atë dosje. Kërkoj nga ministri të kërkojë falje për këtë jo vetëm njollosjen e Fahrijes por edhe të gjitha gratë janë njollos me këtë etiketim. Kërkoj nga ministria të kërkojë falje publike e jo me shkrime e me video në rrjete sociale. Jo me u marr me çështje personale me Fahrijen, Fahrija ka një adresë që e ka ndertu me sakrificë e dhimbje e lot. Nuk po më dhemb si Fahrije Hoti por si gratë e Krushes. Unë kam marr vendim që më është refuzuar projekti na është refuzuar ankesa, nuk jemi marr me atë çështje. Le të kërkon në Gjykatë e prokurori ku Fahrije Hoti është e dënuar, më rast se ka një aktakuzë atëherë lë te ulet e le te bisedojmë. Le të vazhdojnë me më refuzu por ne nuk do të dorëzohemi”, ka deklaruar Hoti.
Ajo ka bërë të ditur se nga viti 2015 deri në vitin 2024 “Krusha”, nuk ka marrë asnjë grant nga Ministria e Bujqësisë.
“Përjashtim në kohë pandemie nga Bashkimi Evropian, me dokumentet e njëjta kemi qenë përfitues, në bashkëpunim me Komisionin Evropian”, ka shtuar ajo.
Ajo ka deklaruar se “kurrë më parë kooperativa nuk ka qenë më e kompletuar si sot, nuk do e akuzoj asnjë subjekt, kemi pasur dhe e kemi derën e hapur për qeverinë e subjektet politike”.
Po ashtu, Hoti ka deklaruar se nuk ka pranuar asnjë thirrje në vitin 2017 për kthimin e shumës prej 17,800 eurove të fituara si grant.
“Unë nuk kam pranuar asnjë thirrje për kthim të mjeteve, unë nuk i kthej mjetet, jo Peci por çdo kush le të vijë nuk do i kthej ato mjete. Kam me qëndru prapa këtyre fjalëve kushdo që vjen”, ka deklaruar Hoti.
Ajo ka thënë se presin nga zyra e ministrit takim më mënyrë që të sqarohet arsyeja e refuzimit të grantit.