Mosha e mesme në Shqipëri më të palumtur se pak vite më parë, faktorët ndikues

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 25.11.2024, 10:53

Sipas Indeksit Global të Lumturisë për vitin 2024, shqiptarët në moshën e mesme (45-59 vjeç) kanë raportuar një rënie të ndjeshme në nivelin e lumturisë gjatë periudhës 2021-2023, krahasuar me vitet 2006-2010. Të dhënat tregojnë një rënie mesatare prej -0.3 pikësh në këtë grupmoshë, duke bërë që Shqipëria të shfaqë një trend të kundërt me vendet e tjera të rajonit.

Ndryshe nga Shqipëria, në Europën Qendrore dhe Lindore ka pasur rritje të konsiderueshme të nivelit të lumturisë. Serbia ka kryesuar listën me një rritje prej 1.8 pikësh për popullsinë e moshës së mesme, ndjekur nga Bullgaria. Gjithashtu, sipas Monitor, vende si Rumania, Bosnja, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raportuar nivele më të larta lumturie në vitin 2023 krahasuar me 2006.

Popullsia shqiptare mbi 45 vjeç përbën brezin që ka përjetuar diktaturën dhe ka punuar për rrëzimin e saj. Përkundër ëndrrave për një të ardhme më të mirë, shumë prej tyre ndihen të zhgënjyer pas 34 vitesh zhvillime demokratike, duke kontribuar kështu në uljen e nivelit të tyre të lumturisë.

Ndërkohë, emocionet negative kanë qenë më të pranishme në periudhën 2021-2023, sidomos tek femrat. Në rajone si Azia Lindore dhe Europa Qendrore dhe Lindore, këto emocione janë reduktuar, ndërsa pjesa tjetër e botës ka parë një përkeqësim. Lumturia globale tregon gjithashtu një pabarazi të rritur me mbi 20% gjatë dekadës së fundit, me dallime të mëdha midis moshave dhe rajoneve.

Europa Qendrore dhe Lindore mbetet zona me rritjen më të madhe të lumturisë në dekadën e fundit, ndërsa Shqipëria mbetet përjashtim, duke ndjekur një prirje të kundërt me rajonin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit