Një sipërmarrës në tregun e kriptomonedhave i ka habitur të gjithë pasi shpenzoi plot 6.2 milionë dollarë për një 'vepër arti' të artistit italian Maurizio Cattelan, të titulluar “Komikja”, e cila është një banane e ngjitur në mur me një copë ngjitëse.
Justin Sun e bleu veprën në një ankand të organizuar nga Sotheby's në New York, duke tejkaluar ofertat e gjashtë blerësve të tjerë.
“Unë besoj se kjo vepër do të frymëzojë mendime dhe diskutime të reja në të ardhmen dhe do të bëhet pjesë e historisë. Jam i nderuar të jem pronari i saj dhe mezi pres që të ketë një ndikim të mëtejshëm për adhuruesit e artit në mbarë botën,” shpjegoi Sun.
Por çfarë planifikon të bëjë ai me veprën? Përgjigja e tij është po aq e pazakontë sa vetë veprat e artit modern: ai planifikon ta hajë bananen!
“Do ta ha bananen si pjesë e eksperiencës artistike. Ditët në vijim do ta ha, duke nderuar vendin e saj si pjesë e historisë së artit dhe kulturës popullore,” tha Sun.
Sun, themeluesi i kriptomonedhës TRON, e përshkroi 'veprën' si më shumë se thjesht art.
“Kjo nuk është thjesht një vepër arti; përfaqëson një fenomen kulturor që lidh botën e artit, memet dhe komunitetin e kriptomonedhave,” tha ai.
“Ajo që bën Cattelan me këtë vepër është t’i vendosë një pasqyrë botës bashkëkohore të artit dhe të ngrejë pyetje mbi vlerën që i japim veprave artistike dhe çfarë e përkufizon një vepër arti. Kur blini ‘Komiken’ e Cattelan, nuk blini vetë bananen, por një certifikatë autenticiteti që ju lejon ta riprodhoni këtë banane dhe ngjitëse në murin tuaj si një vepër origjinale e Maurizio Cattelan.,” sqaroi David Galperin, përfaqësues i ankandit.
Kjo 'vepër arti' fillimisht u shfaq në Art Basel Miami në vitin 2019, ku u shit për 120,000 dollarë. Megjithatë, blerja e Sun shënoi një rekord, pasi ai e pagoi shumën e jashtëzakonshme duke përdorur kriptomonedhat e tij.