Pas vrasjes së Martinit, grupi i prindërve kërkon dorëheqjen e ministres: “Do të bojkotojmë mësimin”

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 23.11.2024, 12:59

Përpara shkollës “Fan Noli” në Tiranë, grupi i prindërve organizatorë të protestës pas vrasjes së Martin Canit zhvilloi një komunikim për mediat. Gjatë fjalës së tij, një nga organizatorët, Migen Qiraxhi, përsëriti kërkesat drejtuar qeverisë për një shkollim dinjitoz për të gjithë nxënësit.

Prindërit kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, duke theksuar se kjo do të krijonte një model të mbajtjes së përgjegjësisë. Ata bënë të ditur se protesta e radhës do të zhvillohet të hënën, në orën 17:00, para Ministrisë së Arsimit. Organizatorët paralajmëruan se, nëse kërkesat nuk do të plotësohen, nuk do të largohen nga sheshi dhe do të shqyrtojnë edhe bojkotin e mësimit si një formë tjetër reagimi.

"Kjo dorëheqje do krijonte precedent dhe modelin e të mbajturit përgjegjësi. Kjo gjë nuk do të mjaftonte po do hapte një shteg drejt zgjidhjes së kësaj drame. Kësaj shkolle i kishim besuar edukimin e më të shtrenjtëve të saj ndërsa ata nuk arritën ti mbrojnë as jetën. Kjo ministre nuk ofron veç zgërdhirje dhe arrogancë, kur artikuluam kërkesat tona për shkollë më të mirë për të krijuar një shoqëri më të mirë nesër. Ne do jemi të hënën para ministrisë së Arsimit për të thënë se nuk e tolerojmë këtë model dhe nuk do të presim që një ngjarje tjetër të ndodhë. Nuk është rrufe në qiell të hapur por sinjal për secilin pre nesh që të reagojë sa nuk është vonë. Kërkesat nuk janë tekat tona, por domosdoshmëri që të krijojmë një shkollë të denjë për fëmijët tanë dhe një shkollim dinjitoz për të gjithë brezat që do të vijnë. Ne si prindër zotohemi se nuk largohemi nga sheshi derisa kërkesat të plotësohen, nëse ministria dhe qeveria vijon me neglizhojmë konsiderojmë edhe bojkotin e mësimit si formë të reagimit tonë", – thanë ata në fjalën e tyre.

Kërkesat e prindërve:

  • Rritja e buxhetit për arsimin në 5% të PBB.
  • Përmirësimi i infrastrukturës dhe plotësimi me staf mbështetës për shkollat.
  • Rritja dhe plotësimi 100% i shkollave me psikologë, me raportin 1 psikolog për çdo 200 nxënës.
  • Zgjatja e qëndrimit të nxënësve në shkollë deri në orën 16:00, duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat.
  • Zbatimi emergjent i rregullit për heqjen e telefonave gjatë orës së mësimit.
  • Miratimi i legjislacionit për vendosjen e filtrave parandalues të përmbajtjeve me gjuhë urrejtjeje për fëmijët nën 14 vjeç.
  • Krijimi i një sistemi raportimi për rastet problematike që lidh të gjitha institucionet përkatëse.
  • Sigurimi i një oficeri sigurie në çdo shkollë.
  • Dorëheqja e menjëhershme e ministres së Arsimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit