Deficiti tregtar 493 milionë euro, eksporti mbulon importin me vetëm 15 për qind

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 22.11.2024, 14:18

Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin tetor 2024.

“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 10,4% në muajin tetor 2024, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2023, përkatësisht në vlerë prej 493,0 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 446,5 milionë Euro në vitin 2023”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas ASK-së eksporti mbulon importin me 15,0%.

“Eksporti i mallrave në muajin tetor 2024 kishte vlerën 87,3 milionë Euro, ndërsa importi 580,3 milionë euro, që është një rritje prej 8,6% për eksport, si dhe një rritje prej 10,1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 22,6% thuhet se e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11,8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,9% e përbëjnë produktet minerale e 10,5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 14,1% thuhet se e përbëjnë produktet minerale; 13,2% e përbëjnë mjetet e transportit; 12,0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 9,5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 28,2 milionë euro, ose rreth 32,3% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 4,5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,5%), Italia (3,2), Holanda (2,7%), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 255,5 milionë euro, ose 44,0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (9,3%). Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6%), Greqia (5,1%), Italia (4,6%), etj”, thuhet në njoftim.

ASK-ja ka paraqitur edhe të dhënat për eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s.

“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 39,9 milionë euro, ose 45,7% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 27,9%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (20,8%), Maqedonia e Veriut (12,3%), Serbia (6,8%), Mali i Zi (4,5%). Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 74,5 milionë euro, ose 12,8% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-8,2%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,1%), Maqedonia e Veriut (3,8%), Serbia (2,3%)”, thuhet në njoftim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit