Banorët e fshatit Beltoj, vetëm 3 kilometra larg hyrjes së qytetit të Shkodrës dhe ngjitur me autostradën Shkodër-Tiranë, përballen çdo ditë me kushte të rënda infrastrukturore. Një video e dërguar në redaksinë tonë tregon qartë gjendjen e keqe të rrugës, veçanërisht gjatë reshjeve të shiut, duke bërë të vështirë lëvizjen dhe jetesën për banorët e zonës. Në ditë me reshje, një tjetër problem me të cilët përballen banorët është edhe ndërprerja e energjisë elektrike.
Qytetari shkruan:
"Kjo është rruga jonë, kështu u rritën prindërit dhe gjyshërit tanë, dhe kështu po rritemi edhe ne. Përveç rrugës, një tjetër problem i madh është mungesa e energjisë elektrike sa herë që fryn pak erë ose bie shi. Premtime për përmirësim ka pasur pa fund, por askush, as nga e majta, as nga e djathta, nuk ka marrë masa konkrete."
Banorët u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë dhe të zgjidhin këto probleme, të cilat po ndikojnë në cilësinë e jetesës së tyre. Ata theksojnë se është koha që përgjegjësit të mbajnë premtimet dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për këtë situatë të papranueshme.
Fshati Beltoj, është një pikë strategjike për ata që udhëtojnë drejt Shkodrës nga Tiranë, Lezha, Puka apo Durrësi dhe meriton më shumë vëmendje dhe investime për t'u siguruar një infrastrukturë të duhur dhe furnizim të rregullt me energji elektrike.
Këto problematika i shohim në shumë nga bashkitë e vendit, në të cilat pavarësisht nga investimet që supozohet se janë kryer, pak ditë reshje nxjerrin në pah të gjitha problematikat. Rastet e fundit kanë ardhur edhe nga Elbasani, Berati e Vlora.