Pamje të reja kanë dalë nga atentati mafioz ku mbeti i vrarë 28-vjeçari Klaudio Prendi.
Në pamje duket i riu teksa del nga lokali dhe hipën në makinën e tij tip “G Class”. Në këtë moment një mjet tip “Audi” i bardhë i afrohet paralel dhe qëllon 7 herë ndaj tij.
Ka dyshime se autori ka përdorur armë me silenciator, pasi të shtënat nuk janë dëgjuar. Sapo kanë parë ngjarjen e rëndë, shokët e 28-vjeçarit kanë dalë me vrap nga lokali për t’i ardhur në ndihmë të riut. Dy prej shokëve policë dërguan të riun te Trauma, ku edhe humbi jetën, ndërsa shoku tjetër polic ka ndjekur makinën e autorëve, por i ka humbur ata pa shkuar tek rrethi i Shkozës. Më pas, 'Audi A4' i autorëve u gjet i djegur në zonën e Liqenit të Farkës.
Grupi hetimor nuk ka asnjë gjurmë nga autorët, ndërsa pistat që po verifikohen nga grupi hetimor është ajo e fajdeve dhe basteve sportive, përfshirë edhe lidhje me aktivitete dhe lidhje të dyshimta jashtë vendit. Ka dyshime se persona të ndryshëm të kenë fituar shuma të mëdha parash në baste, të cilat Prendi nuk u ka shlyer.