Arrest me burg për 14-vjeçarin që goditi Martin Canin: “Nuk mbaj mend ku e kam lënë thikën”

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 22.11.2024, 12:36

Mario Përlleshaj vendoset nën masën e arrestit në burg!

Me kërkesë të prokurores Alma Felaj, gjyqtarja Lorena Çabe vendosi masën e sigurisë arrest me burg për të miturin, i cili akuzohet për një ngjarje të rëndë që ka tronditur opinionin publik, vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.

Seanca u zhvillua në spitalin ku Mario Përlleshaj po trajtohet për plagët e marra gjatë përplasjes së të hënës, dhe ishte e pranishme avokatia e tij, një psikolog, si dhe përfaqësues të akuzës. Përfaqësuesit e drejtësisë mbërritën në spital rreth orës 10:30 të mëngjesit të së premtes, pasi ishte e pamundur shoqërimi i të miturit në sallën e gjyqit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Fillimisht, seanca ishte parashikuar të mbahej në Gjykatën e Tiranës në orën 09:30, por ndërhyrja kirurgjikale që Përlleshaj kishte kryer në parakrah, pas dëmtimit të tendinave, e bëri të pamundur prezencën e tij në gjykatë.

Sipas prokurorisë, ngjarja po hetohet nën akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta,” bazuar në nenin 79 të Kodit Penal.

Mësohet se i mituri nuk është treguar bashkëpunues me autoritetet. Ai ka thënë se nuk mbante mend çfarë ka ndodhur, ndërsa nuk ka treguar as se ku e ka fshehur armën e krimit, thikën me të cilën goditi Martinin.

Incidenti ndodhi në afërsi të shkollës “Fan Noli” menjëherë pas përfundimit të mësimit, duke vijuar një konflikt që kishte nisur disa ditë më parë mes të miturve. Sipas të dhënave, i dyshuari kishte thirrur një shok të tij nga shkolla “Fan Noli,” ndërsa viktima, Martin Cani, kishte kërkuar ndihmën e një shoku nga shkolla “Mustafa Qemal Atatürk”, i cili gjithashtu ishte pjesë e ekipit U-15 të Dinamos.

Përleshja përfundoi në mënyrë tragjike: Martin Cani humbi jetën, ndërsa shoku i tij u plagos. Edhe i dyshuari mbeti i plagosur dhe pas ngjarjes u largua me shpejtësi drejt Pazarit të Ri, ku të njohurit e ndihmuan për ta transportuar në një spital privat për trajtim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit