Deputeti egjiptian Essam Diab ka kërkuar që TikTok të ndalohet në Egjipt për shkak të përhapjes së “shthurjes dhe lakuriqësisë” ndërmjet të rinjve dhe fëmijëve. Diab e argumenton këtë kërkesë duke thënë se aplikacioni është një kërcënim për identitetin dhe etikën e shoqërisë egjiptiane, duke shkelur vlerat e traditës dhe familjes.
Ai ka dorëzuar kërkesat për ndalimin e TikTok te kryeministri Mostafa Madbouly dhe ministri i informacionit Amr Talaat, duke kërkuar një bllokim të pakufizuar të platformës deri në krijimin e rregullave të duhura që mbrojnë kulturën egjiptiane, shkruan TVA News.
Egjipti është një nga vendet me përdoruesit më të shumtë të TikTok, me 37 milionë përdorues sipas të dhënave nga ‘We Are Social’. Aplikacioni është i treti më i përdorur pas Facebook dhe Instagram, dhe përdorimi i tij ka shkaktuar shqetësime për sigurinë kombëtare dhe ndikimin e tij tek të rinjtë.
Diab po ashtu shpreh shqetësim për fitimet që publikuesit e TikTok përfitojnë nga miliona shikime në Egjipt, duke theksuar se ky fenomen mund të ketë pasoja të dëmshme për shoqërinë dhe traditat vendase.
TikTok, i krijuar nga kompania kineze ByteDance në 2016, është ndaluar në 19 vende të ndryshme për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe për arsye politike. Disa shtete, përfshirë Indi, Iran dhe Kore e Veriut, e kanë ndaluar atë tërësisht, ndërsa disa vende të tjera, si Britania, Franca dhe Kanada, e kanë kufizuar përdorimin e tij.
Ky debat ka shtuar më tej tensionet lidhur me ndikimin e teknologjisë dhe përhapjen e përmbajtjeve në rrjetet sociale në nivel global.