Një pronare dyqani veshjesh në Shkodër ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një rast mashtrimi të paprecedentë, ku një vajzë i ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar pasi përdori një kartëmonedhë të huaj, duke pretenduar se ishin 500 paund.
Sipas denoncimit, vajza kishte shkuar në dyqan dhe i kishte dhënë shitëses një kartëmonedhë uzbekistanase som me prerje 50,000, e cila vlen vetëm rreth 360 lekë shqiptare. Duke besuar se ishte një kartëmonedhë paund, shitësja i shiti vajzës rroba në vlerë prej 38,000 lekësh dhe i ktheu kusur 22,000 lekë, duke mos e kuptuar mashtrimin në moment.
Pronarja, kur mbërriti në dyqan dhe u informua për situatën, kuptoi se kartëmonedha nuk ishte paund dhe u përpoq të kontaktonte vajzën për të kthyer kusurin. Vajza ishte larguar nga zona dhe nuk mundën ta gjenin pasi u fut në rrugicat përreth.
Biznesmenia ka bërë të ditur se i është shkaktuar një dëm prej 60,000 lekësh të rinj, përfshirë produktet e shitura dhe kusurin e kthyer. Gjatë përpjekjeve për të mësuar më shumë, ajo ka biseduar me pronare të tjera biznesesh në zonë, të cilat kanë pohuar se e njëjta vajzë i ka mashtruar edhe ato në mënyrë të ngjashme, duke përdorur kartëmonedha të pavlefshme.
Pronarja e dyqanit kërkon ndihmën e qytetarëve për të indentifikuar vajzën në fjalë, ku ka dërguar edhe një video ku ajo shfaqet në dyqanin e saj, ndërsa shton se e ka denoncuar ngjarjen në polici.
"Kjo vajzë ka ardhur në Shkodër me ‘paund’ të rremë dhe ka mashtruar disa dyqane. Ju lutem bëjeni publik që të mos mashtrojë të tjerë, pasi më ka shkaktuar një dëm prej 600 mijë lekësh. Po bën kërdinë në Shkodër", thotë ndër të tjera denoncuesja për JOQ.
Pronarët e bizneseve lokale këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të verifikojnë me kujdes kartëmonedhat që pranojnë.