“Po luaja në shtëpi”, iu gjet biçak në çantë, zbardhet deklarata e 13-vjeçarit

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 21.11.2024, 18:00

Është zbardhur deklarata e 13-vjeçarit nga Bilishti i Korçës, që iu gjet një mjet prerës në çantë.

Një 13-vjeçar në Devoll ka deklaruar para policisë se nuk kishte qëllime të këqija dhe e kishte harruar biçakun në çantë pa dashje, pasi një ditë më parë kishte luajtur me të në shtëpi. Ai është përshkruar nga mësuesit dhe psikologët si një djalë i qetë dhe me sjellje të mirë, pa precedentë konflikti.

Ngjarja u zbulua gjatë kontrolleve të policisë në shkolla, të cilat janë intensifikuar pas disa incidenteve të ngjashme në qarkun e Korçës. Biçaku u gjet në çantën e nxënësit në një shkollë 9-vjeçare.

Njoftimi i policisë:

Ditën e sotme, në bazë të informacionit të marrë nga një mësuese dhe nga ndihmësspecialisti i zonës, se në një shkollë 9-vjeçare në rrethin e Devollit, një nxënës 13 vjeç mbante në çantë, një mjet prerës (biçak), menjëherë mësuesja, në prani të psikologes dhe stafit drejtues të shkollës, ka kryer kontroll në çantën e 13-vjeçarit.

Nga kontrolli i çantës u gjet mjeti prerës (biçak), i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll.

Nxënësi, i cili nuk ka shfaqur më parë probleme në sjellje në shkollë, është duke u pyetur në prani të prindit, psikologut dhe punonjësit social të shkollës, nga specialisti për Hetimin e Krimeve i Komisariatit të Policisë Devoll. Të gjitha veprimet po kryhen në drejtimin e prokurorit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit