Dy të rinj janë ndaluar pasi dyshohen për mashtrim me qëllim përfitimin e padrejtë të dëmshpërblimit nga një kompani sigurimesh. Bëhet fjalë për Armando Kallmetin, 22 vjeç nga Nikla, dhe Igli Topallin, 25 vjeç nga Tapiza.
Ngjarja ka ndodhur më 4 tetor 2024, rreth orës 14:00, në aksin rrugor “Valias-Tiranë”. Armando Kallmeti, duke drejtuar një automjet të markës "Benz", ka dalë nga rruga pasi humbi kontrollin mbi mjetin. Pas këtij incidenti, ai dhe Igli Topalli dyshohet se kanë inskenuar një aksident të rremë mes automjetit "Benz" dhe një makine tjetër të markës "Volkswagen Golf", e drejtuar nga Topalli.
Sipas burimeve, dy të rinjtë i kanë paraqitur Policisë Rrugore të dhëna të rreme për të përfituar dëmshpërblim nga siguracioni. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Mashtrim në sigurime” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të kryera në bashkëpunim, sipas nenit 145 dhe 301 të Kodit Penal.