Pas ngjarjes tragjike që tronditi opinionin publik me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, qytetarët kanë nisur një marshim proteste këtë të enjte. Marshimi filloi nga shkolla 9-vjeçare “Fan Noli”, pranë së cilës Martin Cani u qëllua për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.
Qytetarët kërkojnë masa urgjente për të rritur sigurinë e fëmijëve nëpër shkolla dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
Në protestë, dhjetëra qytetarë, prindër dhe fëmijë shprehën dhimbjen dhe zemërimin e tyre. Një prej protestuesve tha: “Martini ishte si djali im, sepse është djali i shokut tim të ngushtë. Nuk ka dhimbje më të madhe. Ai person na ka futur thikën të gjithëve.”
Një tjetër qytetare i bëri thirrje shtetit për të zbatuar ligjin dhe për të marrë përgjegjësinë për ngjarjet e tilla. Ajo u shpreh: “I bëj apel shtetit shqiptar të mos flejë gjumë, të vërë ligjin në zbatim. Është e dhimbshme që shohim të vrarë e asnjë të dënuar. Krimi po na vjen derë më derë. Nuk ka arsye për të falur, edhe nëse autori është i mitur. Institucionet duhet të marrin përgjegjësi. Kërkoj dënim kapital për autorin.”
“Çfarë të them, a ka më keq?! Unë jam gjysh, a ka më keq për një gjysh. Mendoj se faji është tek arsimi. Ministrja e Arsimit duhet të kishte dhënë dorëheqjen vetë në mënyrë urgjente në shenjë respekti”, – u shpreh një i moshuar.
Protestuesit, shumica e të cilëve me lot në sy, theksuan se është e domosdoshme që institucionet të veprojnë menjëherë për të garantuar sigurinë dhe drejtësinë.