Moti i keq dhe rrebeshet e shiut që përfshinë vendin gjatë natës kanë shkaktuar probleme të shumta, sidomos në zonën e Pukës dhe Bulqizës.
Era e fortë dhe shirat intensive kanë pasur pasoja të rënda, ku një nga dëmet më të mëdha ka ndodhur në çatinë e Spitalit Rajonal të Pukës.
Çatia e spitalit "Elez Selimi" është dëmtuar plotësisht nga stuhia, duke detyruar evakuimin e pacientëve nga repartet e patologjisë dhe pediatrisë gjatë mesnatës. Për pasojë, uji ka depërtuar në pavijone, duke shkaktuar vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Autoritetet janë duke shqyrtuar mundësinë e mbylljes së përkohshme të spitalit deri në gjetjen e një zgjidhje për riparimin e dëmeve dhe sigurimin e kushteve të duhura për trajtimin e pacientëve.
Gjithashtu, stuhia ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme edhe në rrjetin energjetik, duke lënë banorët e Pukës pa energji elektrike që nga mbrëmja e kaluar. Përveç kësaj, janë regjistruar edhe rrëshqitje dherash në akset rrugore, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve dhe duke rritur rrezikun për aksidente.
Problematika ka shfaqur edhe në Bulqizë, ku disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të dëmtimeve të rrjetit. Ndërkohë, në aksin e rrugës së Arbrit, janë regjistruar rrëshqitje gurësh, duke bllokuar qarkullimin dhe rritur shqetësimet për sigurinë e qytetarëve.