Serbia kërcënon bujqit luginas, tenton anulimin e subvencionit nga Kosova

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 21.11.2024, 09:50

Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, ditë më parë ka hapur konkurs për bujqit, që të përfitojnë nga ndihma financiare prej 1milion euro të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Bujqit veçse kanë aplikuar, dhe komisioni brenda KKSH-së është në shqyrtim të aplikimeve.

Por, tani ka dal një hall më i madh. Bëhet fjalë për qasjen agresive të Serbisë ndaj këtij fondi të dhuruar nga Kosova.

Kryetari i KKSH-së, Nevzad Lutfiu, ka bërë me dije se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Serbi u ka dhënë afat prej 8 ditësh t’i përgjigjen se në cilën dispozitë ligjore janë thirrur lidhur me hapjen e konkursit për subvencionimin e kulturave bujqësore, dhe në të njëjtën kërkesë Ministria kërcënon se në rast se KKSH nuk e anulon vendimin atëherë vetë Ministria do ta bëj.

Sipas Lutfiut, kjo kërkesë e Ministrisë së Serbisë, erdhi pasi subjekti politik Alternativa për Ndryshim, që udhëheq tani me Bujanocin, i ka dërguar shkresë Ministrisë, përmes së cilës i ka njoftuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka hapur konkurs për subvencionimin e kulturave bujqësore (nga Fondi i Republikës së Kosovës për shqiptarët e Luginës).

Lutfiu ka bërë me dije se nuk anulon “asnjë vendim sepse me vetëdije të plotë kam ndërmarr çdo veprim me qëllim që t’i mbështesim familjet shqiptare të vendit tonë të cilat mbijetojnë prej këtij sektori”. Sipas tij, “hipokrizia e madhe qëndron në faktin se disa nga akterët e APN vetë kanë aplikuar për të përfituar nga ky konkurs”.

Lutfiu ka thënë se do t’i përgjigjen Ministrisë serbe, por njëkohësisht ka njoftuar edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, nga e cila ka kërkuar që nëse proces bllokohet nga Serbia, atëherë të veprohet me masa reciprociteti për serbët e Kosovës.

Kjo, pasi sipas tij, në vitin 2024, Qeveria serbe ka ndarë rreth 139 milionë euro për serbët në Kosovë, ndërsa Kosova 1 milion euro për bujqit shqiptarë të Luginës të bllokohen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit