“U dogj për së gjalli në ditën e parë të punës”, Samueli sapo ishte bërë baba, punonte për 20€

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.11.2024, 10:32

Dita e parë e punës ishte edhe dita e fundit për 18-vjeçarin shqiptar Samuel Tafciu i cili humbi jetën në një strukturë të përdorur si fabrikë/magazinimi për fishekzjarret.

I riu shqiptar humbi jetën bashkë me binjaket 26-vjeçare Sara dhe Aurora Esposito. Ata kishin filluar punë në të njëjtën ditë dhe do fitonin nga 20 euro në ditë. Puna e padeklaruar, e parregullt ushtrohej në një strukturë të paligjshme të papërshtatshme për mbajtjen dhe prodhimin e fishekzjarreve. Pronari i pronës akuzohet për vrasje të shumëfishtë, fatkeqësi nga pakujdesia dhe posedim të paligjshëm të lëndëve shpërthyese.

Dy vajzat ishin banore në Marigliano, të rritura pa baba. Aurora ishte nënë e një vajze pesëvjeçare, ndërsa Samueli jetonte në Ponticelli, baba i një vajze 4 muajshe dhe po kërkonte një mënyrë për të ecur përpara pasi kishte punuar tre muaj si punëtor magazine, por pa u paguar. Ai kishte ardhur në atë fabrikë klandestine fishekzjarrësh në Herculaneum nëpërmjet një shoku.

Samueli ishte martuar me të dashurën e tij 17-vjeçare dhe së bashku jetonin në Ponticelli, në shtëpinë e vjehrrës së tij Anna Campagna, e cila tha për të:

"Ata kanë një vajzë katër muajshe dhe ai punonte për atë dhe gruan e tij. Një djalë i madh, një punëtor. Ai kishte 10 vite në Itali dhe i kishte të gjitha letrat në rregull. Ai ka punuar edhe në punë të tjera por nuk është paguar dhe kështu ka debatuar edhe me ish-pronarin. Ka qenë punëtor magazine, gjithmonë ka ulur kokën por këtu mbrohesh vetëm nëse vjedh. Pastaj këto janë mundësitë për një djalë të mirë, u dogj i gjallë, ishte dita e parë në punë”.

Ndërkohë që e dashura e tij me lotët në sy tha:

“Ai jetonte për mua dhe vajzën. Donte që të ishim bashkë. Donte të blinte një shtëpi jashtë Napolit dhe të shkonim në një udhëtim. Po mendonim për martesën dhe për pagëzimin e vajzës. Ishte djali më i dashur në botë. Burri im vdiq për një grusht me qindarka. Kishte 10 vjet në Itali dhe kërkonte gjithmonë për punë të ndershme. Pranoi të punonte ilegalisht sepse kishim nevojë, për hir të vajzës. Ata e vranë në atë fabrikë pa asnjë mbrojtje”.

Edhe babai i tij mbërriti në magazinë në Via Patacca, i shkatërruar: "Më jep një armë, dua të qëlloj veten, për çfarë më duhet jeta?".

Për vdekjen e tre të rinjve në ditën e parë të punës ka reaguar edhe sindikata e punëtorëve. Ata thonë se nuk mjaftojnë më ngushëllimet dhe indinjata për tragjedi të tilla, por duhen ndërhyrje konkrete dhe urgjente në fushën e sigurisë në punë por edhe në atë të ligjeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit