Një tjetër video shqetësuese ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një adoleshent shfaqet në rrjetin social TikTok me një thikë në dorë.
Pamjet alarmante ngjallin frikë dhe indinjatë, veçanërisht pas tragjedisë së fundit në shkollën 9-vjeçare "Fan Noli" në Tiranë, ku 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën tragjikisht pasi u godit për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Mario Prelleshaj.
Fatkeqësisht, kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Në redaksinë tonë kanë mbërritur disa video të ngjashme ku të mitur shfaqen me thika dhe mjete prerëse në duar, duke i përdorur ato si “lodra” apo mjete për të tërhequr vëmendje në rrjetet sociale. Por kjo “modë” e rrezikshme po kthehet në një fenomen alarmant dhe tragjik.
Platforma si TikTok po kthehen në hapësira ku dhuna glorifikohet dhe adoleshentët ndihen të nxitur për të imituar sjellje të rrezikshme.
Shqetësimi është real dhe urgjent. Institucionet arsimore, policia dhe prindërit duhet të ndërmarrin masa për të parandaluar përhapjen e këtij fenomeni.
Në një kohë kur dhuna mes të rinjve po bëhet gjithnjë e më e pranishme, është detyrë e të gjithëve të veprojmë, përpara se një tjetër jetë e re të shuhet tragjikisht!