Balluku lë gjysmën e fshatrave pa energji: Po arrijmë 2025 dhe vazhdojmë me qiri!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.11.2024, 23:07

Problemet me furnizimin me energji elektrike vazhdojnë të jenë një shqetësim i madh për banorët në Baldushk të Tiranës, ku raportimet për ndërprerje të energjisë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Banorët ankohen se edhe pas reshjeve të lehta, zona përfundon në errësirë për orë të tëra, duke sjellë jo vetëm shqetësime për jetesën, por edhe dëme ekonomike si prishja e ushqimeve.

“Përshëndetje JOQ, dua të ndaj me ju fatkeqësinë që nuk na ndahet. Mjafton të bjerë një pak shi dhe ikin dritat. Po arrijmë në 2025 dhe vazhdojmë me qiri. Po na prishen dhe ushqimet. Ndodhem në zonën e Baldushkut,” shprehet një prej banorëve për JOQ Albania.

Kjo situatë nuk është e izoluar vetëm në Baldushk, pasi në redaksinë tonë ka pasur raportime të panumërta nga shumë zona të tjera të vendit për mungesë të energjisë elektrike. Pavarësisht përparimeve të pretenduara nga autoritetet, mungesa e investimeve të mirëfillta në infrastrukturën energjetike vazhdon të rëndojë mbi qytetarët.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me në krye ministren Belinda Balluku, ka detyrën të garantojë furnizimin e pandërprerë me energji, por dëshmon të kundërtën.

A do të ndërmerren hapa konkretë për t'i dhënë fund këtyre problemeve, apo qytetarët do të vazhdojnë të jetojnë në terr, edhe në prag të 2025-s?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit