Një situatë e rrezikshme është raportuar në zemër të Tiranës, pranë shkollës "11 Janari" në Bllok. Sipas një mesazhi të mbërritur në JOQ Albania, pjesë të godinës së shkollës kanë rënë në rrugë, ndërsa tavani në pjesën tjetër të ndërtesës është varur dhe rrezikon të shembet plotësisht.
Ky incident përbën një rrezik të madh për kalimtarët dhe automjetet që lëvizin në zonë. Banorët dhe kalimtarët e shqetësuar kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të parandaluar një tragjedi të mundshme.
“Shkolla po bie në rrugë. Tavani është varur dhe duket sikur çdo moment mund të shembet. Kjo është një zonë e frekuentuar dhe rreziku është i madh për njerëzit dhe makinat,” shkruhet në mesazhin e publikuar.
Autoritetet ende nuk kanë reaguar publikisht për këtë situatë, ndërsa banorët apelojnë për inspektim dhe masa emergjente për sigurinë publike. Zona mbetet një nga më të frekuentuarat në kryeqytet, duke rritur urgjencën për zgjidhjen e problemit.