Një 28-vjeçar nga Koreja e Jugut është arrestuar në aeroportin ndërkombëtar Jorge Chávez në Lima të Perusë, pasi u kap në flagrancë duke tentuar të largohej nga vendi me qindra merimanga të fshehura në trupin e tij.
Autoritetet zbuluan 320 merimanga tarantula, 110 shumëkëmbësh dhe 9 milingona të mëdha, të cilat ishin të paketuara në enë plastike dhe të lidhura në barkun e tij.
I riu po udhëtonte drejt Koresë së Jugut me një ndalesë në Francë kur zyrtarët vunë re se barku i tij dukej i 'fryrë'. Pas kontrollit, u zbulua kontrabanda dhe autoritetet nisën një hetim penal.
Insektet besohet se janë marrë nga rajoni Madre de Dios në Amazonën Peruviane, një zonë e pasur me biodiversitet. Tarantulat janë një specie në rrezik zhdukjeje dhe kontrabanda e tyre është pjesë e një tregtie të paligjshme globale që vlerësohet me miliona dollarë.
Ky rast vjen në vazhdën e disa rasteve të tjera të ngjashme në Amerikën e Jugut, ku trafikimi i specieve nga bota e egër mbetet një problem i madh.