Banorët e lagjes "Kapedani" në Fang, pjesë e Bashkisë Vau i Dejës, po përballen prej kohësh me vështirësi të mëdha për shkak të gjendjes së rënduar të rrugës.
Prindërit që çojnë fëmijët në shkollë raportojnë se rruga është bërë e pakalueshme, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe duke e bërë të vështirë jetesën e përditshme. Shumë familje ndihen të lëna pas dore dhe theksojnë se janë qytetarë që meritojnë kushte më të mira, ashtu si gjithë të tjerët.
Sipas banorëve, deputetë dhe vetë kryetari i bashkisë kanë vizituar zonën dhe kanë premtuar ndërhyrje, por deri më tani, asgjë nuk është realizuar. Ata bëjnë thirrje për veprim të menjëhershëm dhe u kërkojnë autoriteteve të vendosin prioritetin te zgjidhja e problemit.
Mesazhi i qytetarit:
"Mirëmbrëma! Doja të denoncoja një rast në Bashkinë Vau i Dejës. Jemi disa familje që po vuajmë nga kjo rrugë, sepse dërgojmë fëmijët në shkollë. Kanë ardhur edhe deputetë e kryetar bashkie sa herë kanë fushata na kanë premtuar se do ta rregullojnë, por askush nuk vendos dorën në zemër për fëmijët tanë. Ju lutem, nëse keni mundësi ta postoni këtë video e ta kuptojnë deputetët dhe kryetari i bashkisë, sepse është diçka serioze. Nuk luhet me fëmijët tanë. Edhe ne jemi njerëz që duam të jetojmë si gjithë të tjerët."