Njësia e KFOR-it gjatë patrullimit në Zubin Potok ditën e djeshme kishte vënë re tri vetura dhe një furgon që dyshohet se ishin futur ilegalisht në Kosovë nga Serbia, shkruan Reporteri.
Me t’u lajmëruar Policia e Kosovës, shoferët e tri veturave kanë ikur duke i lënë ato në rrugë, ndërsa njëri nga ta është arrestuar në fshatin Bubë të Zubin Potokut.
Pas një kontrolle të bërë, është konfirmuar që veturat kanë qenë të ngarkuara me dele si dhe pije alkoolike dhe jo-alkoolike, ndërsa rasti është iniciuar si “Kontrabandë me mallra”.
“Fsh. Bube, Zubin Potok 19.11.2024 – 08:49. Njësia e KFOR-it gjatë patrullimit ka vërejtur 3 vetura dhe një furgon që dyshohet se janë futur në Kosovë nga territori i Serbisë. Njësia policore i është përgjigjur rastit ku drejtuesit e tri automjeteve kanë ikur duke i lënë automjetet në rrugë, ndërsa njëri nga drejtuesit, i dyshuari mashkull kosovar është arrestuar. Gjatë kontrollit të automjeteve është vërejtur se të njëjtat kanë qenë të ngarkuara me dele si dhe pije alkoolit dhe jo-alkoolike. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.