Policia e Gjirokastrës ka arrestuar gruan e cila lypte rrugëve të qytetit duke kërcënuar qytetarët me thikë.
Sipas policisë, 43-vjeçarja e arrestuar vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ditën e sotme ajo ka plagosur me thikë një grua që po i kërkonte para.
Burime për JOQ ALBANIA bëjnë me dije se ky nuk është rasti i parë që gruaja e cila kërkon lëmoshë, shqetëson qytetarët, përdor sharje, ofendime dhe kërcënime me thikë apo gurë.
Edhe pak javë më parë ajo është ndaluar nga Policia e Gjirokastrës dhe është dërguar në spitalin psikiatrik të Vlorës. Por pas një mjekimi me qetësuese, ajo është lënë e lirë sërish në rrugë, duke kërcënuar e rrezikuar jetën e qytetarëve.
Këta të fundit thonë se shteti nuk është i aftë t'u japë zgjidhje të përhershme këtyre rasteve, por përgjegjësia pasohet nga një institucion në tjetrin.
Njoftimi i policisë Gjirokastër:
Në lidhje me një video të publikuar paraditen e sotme, në portalin "JOQ", në të cilën shfaqet një shtetase që kërcënon me thikë qytetarët dhe iu kërkon para, ju informojmë se:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, menjëherë pas marrjes së njoftimit për rastin, shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasen Z. V., 43 vjeçe, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i 43-vjeçares, për veprën penale "Vjedhja me dhunë", mbetur në tentativë.
Ditën e sotme, në stacionin e autobusëve në fshatin Lazarat, ka dëmtuar lehtë me mjet prerës, një 67-vjeçare, që ajo t’i jepte para.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër falënderon dhe fton mediat e qytetarët që të denoncojnë rastet e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.