Vrasjet, plagosjet, sherret dhe kërcënimet me thikë dita-ditës po kthehen në një normalitet për vendin tonë.
Shqetësues është fakti se protagonistë të këtyre ngjarjeve, që në disa raste kanë përfunduar në tragjedi, janë të rinjtë e të miturit.
Këta të fundit lehtësisht gjejnë mjete të mprehta në dyqane por edhe mes miqsh. Më pas për të treguar “forcën” e tyre ata i reklamojnë këto thika e biçakë te bashkëmoshatarët e tyre dhe në rrjetet sociale.
Edhe pse dy ditë më parë, një 14-vjeçar u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, kjo nuk i ka “frikësuar” aspak të miturit për të shfaqur thikat e tyre vend e pa vend.
Pas një grupi nxënësish në Durrës që tregonin thikat "flutur" në rrugë, të njëjtën gjë kanë bërë edhe disa të mitur në zonën e Porcelanit në Tiranë.
Djemtë e mitur janë filmuar në një pallat në zonën e Porcelanit duke luajtur me thika e biçakë. Madje njëri prej tyre bën edhe foto e video me celular, ndërsa tjetri imiton goditjet me thikë.
Prindërit kanë denoncuar shpesherë shitjen pa kriter të këtyre thikave në dyqane të ndryshme, por deri tani nuk është marrë asnjë masë. Ata janë të frikësuar se lehtësitë në gjetjen e një arme të ftohtë, sjellin edhe më shumë ngjarje të rënda.