Fermerët në harresë, 69% e fondit të bujqësisë shkon për stafe e këshillime

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 20.11.2024, 11:13

Qeveria e Shqipërisë, jo vetëm që ofron financimet më të ulëta si mbështetje direkte për fermerët, por pjesa dërrmuese e këtyre fondeve shkon për shpenzime korrente, dhe ka shumë pak investim real për rritjen e prodhimit bujqësor.

Referuar projektbuxhetit të vitit 2025, nga totali prej 7.2 miliardë lekësh i shpenzimeve buxhetore për zhvillimin rural, mbi 5 miliardë lekë, ose 69% e fondeve, përdoren për shpenzime korrente, ndërsa vetëm 21% alokohen si shpenzime kapitale për të nxitur prodhimin. Në terma konkretë, nga 7.2 miliardë, vetëm 22 milionë euro përdoren për investime. Pjesa tjetër shkon për pagesat e stafit të Ministrisë së Bujqësisë dhe këshillime.

Situata nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga ajo e vitit të kaluar, ndërkohë që gjendemi përballë faktit që fermerët shqiptarë kanë organizuar protesta më herët këtë vit për shkak të mungesës së mbështetjes financiare.

Një tjetër tregues i impaktit negativ të kësaj shpërndarjeje të fondeve, është se importet e produkteve bujqësore janë rritur me mbi 20% gjatë këtij viti, pasi ato konkurrojnë prodhimet vendase për shkak të kostove më të ulëta.

Europa dhe rajoni aplikojnë subvencione shumë më të larta se Shqipëria, duke bërë që produktet e tyre të dalin në treg me çmime më konkurruese.

Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që shquhet për nivelin e ulët të mbështetjes për bujqësinë, sektor që zë rreth 19% të PBB-së së vendit.

Mungesa e investimeve në inovacion konsiderohet si pengesë për shfrytëzimin e financimeve private dhe për adresimin e sfidave mjedisore dhe klimatike.

Një raport i fundit i Bankës Botërore vlerëson se mbyllja e hendekut me 25% në investimet për kërkim dhe zhvillim në rajon mund të çojë në rritje të produktivitetit bujqësor me 15% në Shqipëri, 25% në Bosnje dhe Hercegovinë, 16% në Maqedoninë e Veriut dhe 6% në Serbi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit